Gati rregullorja e “Prishtina Parking”, disa kategori lirohen nga pagesa

Komuna e Prishtinës është në pritje të vendimit përfundimtar për kryerjen e procedurave ligjore për sa i përket Rregullores së re për Parkingjet në kryeqytet. Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, ka konfirmuar për Radio Kosovën, se shumë shpejt do të hyjë në fuqi rregullorja e re për parkingjet në Prishtinë.

Në Komunën e Prishtinës, shumë shpejt pritet të hyjë në fuqi Rregullorja e re e Organizimit dhe Shfrytëzimit të Parkingjeve. Kështu tha për Radio Kosovën nënkryetari Alban Zogaj, duke theksuar se çdo vendim i Kuvendit Komunal, analizohet nga institucionet qendrore dhe brenda dy javëve, ajo kthehet në kuvend ku dhe hyn në fuqi. Tashmë jemi në pritje të këtij vendimi, deklaroi Zogaj.

“Për rastin e Rregullores së re të “Prishtina Parking”, ne po e presim ligjshmërinë nga ana e ministrisë dhe sapo ta kemi nga ata një dritë të gjelbër, ne do ta publikojmë, dhe atë ditë ajo hyn në fuqi. Qytetarët e Prishtinës deri atëherë duhet të presin edhe disa ditë, sepse konsideroj se tashme veç e plotësojmë atë afatin kohor prej dy javësh, dhe do ta kemi ligjshmërinë finale të rregullores dhe do ta publikojmë. Me këtë rregullore, e shtuna është ditë pune”, deklaroi Zogaj.

Ndërkohë, në një njoftim nga “Prishtina Parking” të bërë në faqen zyrtare në Facebook, theksohet se deri në përfundim të proceseve ligjore, do të vazhdojnë me operim të njëjtë, duke përfshirë edhe pagesën për shfrytëzim të vend-parkingjeve me pagesë ditën e shtunë.

Për zonën 1, operimi është deri në orën 23:00, përderisa për zonën 2, operimi është deri në orën 14:00.

Ndryshe, me rregulloren e re, banorëve rezidentë të Prishtinës do t’u mundësohet parkingu falas për veturën e parë, ndërsa për veturën e dytë, qytetarët obligohen të paguajnë 10 euro në muaj ose 100 euro në vit.

Sipas rregullores, veturat zyrtare dhe personat me aftësi të kufizuara dhe atyre që u njihet statusi i invalidit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të lirohen nga pagesa. Po ashtu, me rregulloren e re mundësohet që veturat të qëndrojnë deri 10 minuta pa pagesë në zonat e parkingjeve.

Go to TOP