Gashi: Kosova humbi mikun e madh, kongresistin Eliot Engel
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Alush Gashi, ka reaguar me pikëllim për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel duke e cilësuar atë si një ndër miqtë më të mëdhenj dhe më të qëndrueshëm të Kosovës.
Gashi theksoi se për më shumë se tri dekada në Kongresin Amerikan, Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të Kosovës në Washington, veçanërisht gjatë viteve ’90, kur vendi po përballej me periudhën më të vështirë.
Sipas tij, Engel ishte ndër të parët që kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë, ndërsa më vonë u bë një nga mbështetësit kryesorë të ndërhyrjes së NATO në vitin 1999 dhe një avokat i fuqishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
“Kosova humbi një zë të fuqishëm, një aleat të palëkundur dhe një njeri që e kishte Kosovën në zemër”, ka shkruar Gashi duke rikujtuar edhe deklaratën e Engelit se asnjë vend nuk ia kishte prekur zemrën më shumë se Kosova.
Ai gjithashtu theksoi se kishte pasur privilegjin të bashkëpunonte me Engelin që nga fillimet, së bashku me veprimtarin Harry Bajraktari.
Në fund, Gashi i ka dhënë lamtumirën mikut të tij duke ndarë edhe një fotografi të vitit 1991 në New York, në prag të Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. /Kosova.info/
