Gashi kërkon rinumërim të votave: Procesi i numërimit ka dështuar, manipulime masive me votën e diasporës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka ngritur shqetësime serioze mbi procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar atë si të dështuar dhe me ndikim të madh në besimin publik ndaj rezultatit zgjedhor.

“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor,” ka deklaruar Gashi duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të marrë masa për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë.

Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi atë që e ka quajtur “manipulim masiv” me votën e diasporës, duke theksuar se kjo dukuri ka ndodhur brenda partive politike.

“Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme,” ka shtuar ai, duke theksuar se çdo dyshim mbi integritetin e procesit zgjedhor mund të dëmtojë stabilitetin demokratik të vendit.

Deklarata e tij vjen mes tensioneve të shtuar mbi rezultatet e zgjedhjeve dhe thirrjeve të disa partive për transparencë më të madhe në procesin e numërimit të votave. /Kosova.info/


Go to TOP