Gashi: Edi Rama ka dashur ta ndajë Kosovën me Vuçiçin – 2/3 për Shqipërinë, 1/3 për Serbinë
Analisti Shkëlzen Gashi ka bërë një deklaratë të ashpër lidhur me rolin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në projektet e kaluara për ndarjen e Kosovës. Ai tha se Rama, në bashkëpunim me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kishte synuar që 2/3 e territorit të Kosovës t’i bashkonte me Shqipërinë, ndërsa 1/3 t’ia linte Serbisë.
Sipas Gashit, Rama ka dashur të hyjë në histori si “Ismail Qemali i ditëve tona”, madje duke imituar edhe pamjen e tij. “Për ta realizuar këtë plan kundër Kosovës, Edi Rama e kishte përdorur Hashim Thaçin, të cilin e sheh si Isa Boletini të ditëve tona – pra si ‘malok’,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Thaçi kishte pranuar të përfshihej në këtë projekt me shpresën se do të shpëtonte nga Gjykata Speciale. “Rama po vazhdon ta përdorë UÇK-në dhe figurën e Thaçit duke shpresuar se një ditë do ta realizojë ndarjen e Kosovës dhe do të hyjë në histori si Ismail Qemali i kohës sonë,” deklaroi Gashi.
Analisti theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e pengon këtë projekt, ndaj Rama e urren atë “patologjikisht”. Ai përfundoi me një koment ironik: “Edi Ramës nuk i intereson aspak për UÇK-në, po aq sa i intereson Fatmir Shehollit.” /Kosova.info/
