Gashi: Byroja Shtetërore e Hetimit ide e kahershme, rrezikon devijim pa bazë të qartë kushtetuese

Arben Gashi nga LDK-ja, ka deklaruar se ideja për themelimin e Byrosë Shtetërore të Hetimit nuk është e re, por daton që nga viti 2012, si përgjigje ndaj mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe ndikimeve politike mbi to.

Sipas Gashit, në atë periudhë kishte shqetësime serioze për ndërhyrje politike dhe përdorim të instrumenteve shtetërore kundër kundërshtarëve politikë, ndërsa ekzistenca e Task Forcës Anti-Korrupsion në Zyrën e Kryeministrit konsiderohej devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve.

Ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij të parë si kryetar i Komisionit për Legjislacion, kishte vendosur bazat konceptuale për një institucion të pavarur dhe profesional, që do të koordinonte policinë, prokurorinë dhe mekanizmat kundër korrupsionit.

Gashi shtoi se kjo ide është përfshirë më pas në programin politik të LDK-së dhe ka qenë pjesë e negociatave për koalicion me Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas tij kishte rezerva dhe kundërshtime.

Duke rikujtuar zhvillimet ndër vite, ai përmendi se ideja ka evoluar nga propozimi fillestar në vitin 2012, në një temë qendrore të debatit për sundimin e ligjit në vitin 2014, deri te përfshirja në programin zgjedhor dhe negociatat politike në vitin 2019.

Megjithatë, Gashi shprehu shqetësim se koncepti aktual i prezantuar nuk është i qartë në aspektin juridik dhe funksional duke paralajmëruar për rrezik të devijimit nga qëllimi fillestar.

Ai gjithashtu ngriti dyshime për bazën kushtetuese të këtij mekanizmi, veçanërisht në raport me ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve ekzistuese të drejtësisë.

“Sundimi i ligjit nuk ndërtohet me improvizime politike, por me institucione të qarta, të balancuara dhe kushtetutshmërisht të qëndrueshme”, ka përfunduar Gashi. /Kosova.info/


Go to TOP