Gjuriq: Kurti dëshiron t’i largojë serbët nga shtëpitë, po dëmton trashëgimin e paqes së Trumpit

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po udhëheq një politikë që synon dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmton, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që u arrit gjatë mandatit të parë të tij”.

Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, ku po diskutohej raporti i sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres për situatën në Kosovë, Gjuriq tha se komuniteti serb po përballet me “gërryerje sistematike” dhe me “një betejë humane për mbijetesë”.

“Ka arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Gjuriq duke shtuar se raporti i Guterres “pasqyron tmerret e përditshme që po përjetohen në Kosovë”.

Ai pretendoi se qeveria e Kosovës ka shkatërruar “128 institucione jetike” në zonat me shumicë serbe, përfshirë shërbimet sociale, postën, pensionet dhe punësimin, madje, siç tha ai, “edhe Kryqi i Kuq është bërë shënjestër”.

Sipas Gjuriqit, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar të mbyllin institucionet e udhëhequra nga Serbia, veprime që, sipas tij, janë kritikuar edhe nga aktorë ndërkombëtarë.

Ai foli edhe për “sulme të shpeshta me motive etnike” duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjestruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit. “Nëse je serb, askush nuk të mbron. Ky mohim sistematik i të drejtave themelore është një dështim moral dhe politik”, u shpreh Gjuriq duke akuzuar Prishtinën për “urrejtje të rrënjosur thellë ndaj serbëve”.

Ministri serb e akuzoi qeverinë e Kosovës edhe për “militarizim” dhe “blerje të dronëve kamikazë” duke thënë se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”. Ai e quajti “alarmante” situatën e Kishës Ortodokse Serbe dhe tha se “sulmet ndaj objekteve fetare përbëjnë erozion të qëllimshëm të identitetit kulturor”.

Duke pretenduar se 20 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova në një “eksod të heshtur” dhe se vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar, Gjuriq pyeti: “A është kjo shoqëria multietnike që po proklamohet?”

Në fund të fjalimit, ai përsëriti kërkesën që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke theksuar se “kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i dhënë nga vetë Kosova”.

“Kurti po e saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, tha Gjuriq.

Ai përfundoi duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit dhe bashkësisë ndërkombëtare që të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë, siç tha, “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”. /Kosova.info/


Go to TOP