Futbollistët e Chelseat blejnë karburant për autobusin e klubit, të gjitha llogaritë janë të ngrirat

Pasi Roman Abramovich nxori në shitje Chelsean, lojtarët, stafi profesional dhe drejtorët e klubeve po përjetojnë situata të paprecedentë deri në atë pikë sa futbollistët duhet të fusin para nga xhepi i tyre për të blerë karburant për autobusin, shkruan Marca.

Kështu, blutë nesër do të luajnë kundër Real Madridit në çerekfinalen e Champions League, gati një vit pasi e eliminuan klubin mbretërorë nga gjysmëfinalet e të njëjtit kompeticion.

Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe megjithëse të dyja skuadrat do të përballen sërish në Stamford Bridge, Chelsea është rrethuar nga pasiguria pas njoftimit të Abramovich për t’u larguar.

Pas sanksioneve të vendosura ndaj biznesmenit rus, fizioterapistët e Chelseat, mjekët dhe të gjithë të lidhur me ekipin e parë vazhduan të punojnë me lojtarët, por departamente të tjera si komerciale, burimet njerëzore dhe marketingu pushuan së funksionuari.

Drejtorët e klubit qëndruan në vendin e tyre pa asnjë vendim, ndërsa drejtoresha e përgjithshme Marina Granovskaia është ende në menaxhim pa asnjë mundësi ekzekutive sepse nuk i lejohet të ofrojë rinovime kontratash apo të sjellë lojtarë të rinj.

Stafi profesional i Chelseat ende merr paga mujore, por llogaritë e klubit janë të ngrira, që do të thotë se nuk mund të ketë kosto shtesë.

Kufizimet do të jenë në fuqi deri më 31 maj, por pritet që pronarët e rinj të marrin dritën jeshile për të përfunduar procedurat për marrjen e klubit para majit.

Pronarët e klubit MLB Chicago Cubs kanë shfaqur interes për të marrë  Chelsean, por tifozët e Blues kanë shprehur shqetësim për polemikat rreth pronarëve të Cubs, familjes Ricketts.

Ndërkohë, Chelsea nuk lejohet të shesë bileta për ndeshjet në shtëpi, me përjashtim të ndeshjeve të Champions League.

Disa sponsorë ishin gati ta ndërpresin partneritetin me blutë, por asnjëri prej tyre nuk ka nisur asnjë lëvizje.

Go to TOP