Fundjavë vendimtare në pingpong: Drita dhe Prishtina përballen për titullin e kampiones në Superligën e femrave
Këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet përmbyllëse të sezonit vjeshtor në pingpongun kosovar. Në program janë duelet e javës së 10-të dhe të fundit në Superligën e femrave, si dhe të javës së 12-të në Superligën e meshkujve.

Në konkurrencën e femrave pritet një spektakël i vërtetë në Prishtinë, ku skuadrat lidere, Drita dhe Prishtina, do të përballen drejtpërdrejt për titullin e kampiones, pasi aktualisht ndajnë vendin e parë me pikë të barabarta.
Në ndeshjet tjera, Gjilani takohet me Ahmet Hoxhën, ndërsa Juniku dhe Shpresa do të garojnë për pozitën e pestë në renditje.

Edhe te meshkujt, fundjava sjell përballje të forta dhe me peshë në garën për kreun. Në Prishtinë, Dardania pret kryesuesen Lidhja e Prizrenit, ndërsa Pripingu do të sfidojë Lirinë, në një duel mes vendit të tretë dhe të dytë.
Në duelet tjera, Hasan Prishtina takohet me Prishtinën, kurse Vushtrria pret Shkolla Prizrenin, rivalin direkt për pozitën e gjashtë.
Kjo fundjavë pritet të vendosë shumë jo vetëm për titujt, por edhe për renditjet përfundimtare në një sezon të mbushur me rivalitet dhe nivel të lartë garues. /Kosova.info/
