Forumi i “Octopus”: Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë, fushëbetejë gjeopolitike dhe provë për demokracinë

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” po mban sot në Prishtinë forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues institucionalë, ambasadorë dhe ekspertë po diskutojnë mbi sfidat që shoqërojnë procesin zgjedhor të 12 tetorit në Kosovë.

Drejtori i Institutit, Arben Fetoshi, tha se Kosova gjendet në një terren operacioni kërcënues, jo vetëm nga propaganda dhe narrativat nxitëse, por edhe nga ndërhyrjet politike e financiare të Serbisë të lidhura me ndikimin rus. Ai e cilësoi ditën e votimit jo vetëm si një proces politik, por si një betejë për stabilitetin demokratik, sigurinë kombëtare dhe vlerat euroatlantike të vendit.

“Rasti i Moldavisë, apo shembujt nga Rumania e Gjeorgjia, tregojnë se zgjedhjet janë sot arenë e përplasjes gjeopolitike, mes së vërtetës dhe propagandës. Serbia militariste, si qendër rajonale e ndikimit rus, përdor dezinformimin, rrjetet fetare, manipulimet kibernetike dhe ndërhyrjet financiare për të polarizuar dhe përçarë qytetarët, sidomos komunitetin serb në Kosovë”, theksoi Fetoshi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, theksoi se Kosova ka një demokraci ende të brishtë që kërkon mbrojtje të vazhdueshme. Sipas tij, vetëm zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të besueshme do të përcaktojnë të ardhmen demokratike dhe rrugën e Kosovës drejt forcimit të shtetit. Ai nënvizoi se sfida më e madhe mbetet situata në veri, ku tensionet tregojnë se demokracia është e kërcënuar.

Ndërsa përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë, Payam Ghalehdar, tha se edhe në Kosovë zgjedhjet janë një fushëbetejë gjeopolitike dhe se integriteti i tyre është vendimtar. Ai theksoi se kërcënimet ndaj zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por shpesh edhe nga brenda duke përmendur përpjekjet për përjashtimin e disa partive politike nga procesi si shqetësuese.

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, akuzoi Listën Serbe se ka ushtruar frikë, shantazh dhe intimidim mbi votuesit duke cenuar pothuajse çdo proces zgjedhor në komunat me shumicë serbe. Ai tha se ky fenomen ka minuar besimin qytetar dhe ka rrezikuar funksionimin e demokracisë në Kosovë.

Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Imeri, theksoi se kriza e demokracisë shpesh është rezultat i transformimeve të brendshme duke kaluar nga një demokraci liberale drejt një demokracie të elitave. Ai nënvizoi se zgjedhjet janë forma më origjinale e sovranitetit popullor dhe se çdo sulm ndaj tyre është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të shtetit.

Forumi përfundoi me thirrjen e përbashkët për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse më 12 tetor duke e cilësuar këtë proces si një provë të madhe për stabilitetin demokratik, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP