Formacioni i javës së gjashtë në BKT Superligë

Ka përfunduar xhiro e gjashtë në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

E gjithë vëmendja këtë xhiro ishte në derbin lokal mes Dritës dhe Gjilanit që u zhvillua në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet.

Gjilani arriti një fitore të madhe 0-2 falë golave nga Gerhard Progni dhe Shend Kelmendi.

Fitorja më e thellë i takoi Prishtinës që mposhti Feronikelin 0-4 në Drenas, derisa Malisheva dhe Ballkani ndanë pikët 0-0.

Ndërkohë dy duelet e para të kësaj jave u zhvilluan të shtunën, Llapi – Drenica 1-1 dhe Ulpiana – Dukagjini 0-0.

Redaksia e sportit në Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur më të mirët e javës në BKT Superligën e Kosovës.

Portieri:

Enea Koliqi ka vazhduar me ndeshje jashtëzakonisht të mira këtë edicion në Superligë.

Enea Koliqi (Foto: Lumi HD)

Portieri shqiptar shpëtoi në disa raste Gjilanin, duke ndaluar disa goditje nga lojtarët e Dritës në drejtim të portës së tij.

Mbrojtësit:

Dren Kryeziu është lideri i Malishevës me shiritin e kapitenit që mban në krah. Por mbrojtësi qendror po shkëlqen në këtë fillim të edicionit në Superligë. Kryeziu ishte i pakalueshëm ndaj Ballkanit duke qenë ndër lojtarët më meritor për barazimin e skuadrës së tij.

Akil Makolli ka qenë fantastik në mbrojtje për Ulpianën. Mbrojtësi prishtinas tregoi formë të lartë ndaj Dukagjinit të Klinës në barazimin 0-0.

Formë të lartë tregoi edhe Armend Halili i Gjilanit në derbin ndaj Dritës. Halili ishte i jashtëzakonshëm në krahun e majtë duke ndalur thuajse në të gjitha rastet lojtarët sulmues të rivalit lokal.

Mesfushorët:

Guathier Mankenda ishte i pandalshëm ndaj Feronikelit ku Prishtina mori fitore të madhe 0-4. Anësori afrikan asistoi një herë, por në krah i shkaktoi probleme të mëdha futbollistëve vendas.

Ergyn Ahmeti ngadalë por sigurt po e rikthehen formën e vjetër. Mesfushori mitrovicas ka qenë më i miri te Dukagjini në duel me Ulpianën ku klinasit morën një barazim 0-0.

Edvin Kuc vazhdon të jetë mesfushori më në formë i Ballkanit këtë edicion. Ylli i skuadrës së Bekim Isufit dominoi edhe këtë xhiro në mesfushë, duke qenë më i miri në fushë në barazimin që Ballkani e mori 0-0 në udhëtim te Malisheva.

Endrit Krasniqi e ka rikthyer formën e mirë. Pas një starti me disa probleme me lëndime, Krasniqi i ka lënë mbrapa ato dhe tani është duke u treguar vendimtar për Prishtinën. Mesfushori malishevas shënoi golin e parë ndaj Feronikelit dhe ishte më i dalluari tek kryeqytetasit.

Sulmuesit:

Kastriot Selmani shënoi golin e vetëm për Llapin në sfidën ndaj Drenicës, duke shpëtuar skuadrën e tij nga humbja.

Blerim Krasniqi nuk shënoi në derbi, por ai ishte futbollisti më i miri në fushë. Sulmuesi nga Shqipëria e largoi nga loja me të kuq Prince Balden, asistoi tek goli i dytë për Shend Kelmendin, por edhe fitoi të gjitha duelet me Ardian Cuculin.

Kreshnik Uka ka qenë lojtari më i mirë i Drenicës në duel me Llapin. Uka shënoi një gol të bukur duke ndihmuar skuadrën e tij të marrë barazim 1-1 në Merdare.

Trajneri i javës:

Ismet Munishi ishte në presion të madh para derbit, pasi skuadra e tij nuk i kishte arritur pritshmëritë.

Por tekniku prishtinas e kishte përgatitur mirë ekipin duke arritur ta fitoj derbin dhe me plot meritë të marrë çmimin si trajneri i javës.

Go to TOP