Forcat Italiane të KFOR-it zëvendësojnë rezervat nga Greqia dhe Bullgaria
Mbrëmë, trupat italiane nga rezervat e KFOR-it përfunduan dislokimin e tyre në misionin e udhëhequr nga NATO, #KFOR. Këto trupa do të zëvendësojnë rezervat në largim nga Greqia dhe Bullgaria.
“Njësia përbëhet nga Regjimenti i 5-të i Këmbësorisë së Brigadës AOSTA, si dhe personel shtesë nga Karabinierët italianë. Batalioni do të jetë i bazuar në Kampin Villaggio Italia për disa muaj, ku do të kryejë një sërë aktivitetesh, përfshirë patrullimet, dhe do të përdoret në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë”, thuhet në komunikatë.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e saj, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.
KFOR mbetet i përgatitur për të përballuar çdo skenar të sigurisë. /Kosova.info/