Foda: Është i mundshëm vendi i parë, por duhet mundur Rumaninë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, në konferencën e tij të parë para ndeshjeve të nëntorit në Ligën e Kombeve, është shprehur optimist se Dardanët do të arrijnë rezultate pozitive.

Kosova të premten luan në udhëtim tek Rumania, derisa tri ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’ kombëtarja jonë sfidon Lituaninë në ndeshjen e fundit të këtij cikli garash.

Strategu gjerman i Kosovës e pranon se lëndimit e disa lojtarëve do të jenë hendikep për skuadrën tonë, por ai është i bindur së lojtarët që do të jenë terren do të japin më të mirën fillimisht në duel me rumunët e më pas kundër lituanezëve.  

“Fatkeqësisht kemi disa lëndime. Në dispozicion nuk e kemi Emir Sahitin, Ermal Krasniqi, Milot Rashica dhe Bersant Celina. Si zëvëndësues kemi ftuar Art Smakajn, Leart Sadriun dhe Zymer Bytyqin”, ka thënë Foda.

“Sigurisht se lojtarët e lënduar janë të rëndësishme për skuadrën tonë si Krasniqi, i cili ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e fundit, Rashica, i cili njihet për cilësitë e tij, por ky është futboll dhe tani në ekip krijohen shanset për lojtarë të rinj”, ka pohuar ai.

Foda mendon se është i mundshëm vendi i parë në grup, por sipas tij, duhet të fitohet ndeshja në Rumani.

“Vendi i parë është i mundshëm, por për të arritur këtë duhet ta fitojmë lojën në Rumani. Në ndeshjet e fundit kemi treguar lojëra të mira, jam i kënaqur me ekipin, por jo edhe tepër i kënaqur sepse është dashur të shënojmë më shumë gola”, ka theksuar Foda.

“Për shkak të lëndimeve të fundit duhet t’i bëjmë disa adaptime, disa ndryshime në ekip, por ne nisemi me energji pozitive në Rumani dhe në ndeshjet e fundit do të shihet se kush do ta zë vendin e parë në grup”, ka përfunduar Foda.

Dardanët aktualisht janë në pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C, me 9 pikë, derisa Rumania kryeson me 12 pikë.

Kombëtarja jonë sot prej orës 17:00 zhvillon stërvitjen e parë para duelit me Rumaninë, ndeshje që luhet të premten mbrëma dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Go to TOP