Flet babai i Fahri Fazliut: Veprimi i Speciales na ka shqetësuar

Fadil Fazliu, babai i Fahriut, i cili sot u arrestua nga Gjykata Speciale, e më pas u lirua, ka treguar për RTK-në se si familje kanë qenë të shqetësuar me atë çfarë i ndodhi djalit të tyre.

“Sot rreth orës 8 pasi e ka dërguar djalin e tij në çerdhe, duke u kthyer me makinë e kanë arrestuar. Ky veprim thjesht na ka shqetësuar sepse nuk e dimë arsyen”, ka thënë Fadil Fazliu për RTK-në.

Ai tutje ka thënë se djali i tij ka qenë vetën 8-vjeç në kohën e luftës e pas lufte nuk ka bërë asnjë krim. “Në qoftë se ka ndejë me ata shokët që janë në Hagë dhe njerëz të tjerë, ajo është e drejtë e jona të rrimë me gjithkënd. Kjo punë nuk është e ndaluar”, ka shtuar Fazliu.

Ai ka treguar se pas lirimit djali i tij e ka telefonuar dhe i ka treguar që iu ka konfiskuar telefoni.

Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës, Christopher Bennett në një përgjigje me shkrim për RTK-në ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka koment rreth arrestimit, e më pas lirimit të Fahri Fazliut në Prishtinë.

Go to TOP