Flet Adriatik Kelmendi: As frigoriferët e as paratë nuk e shpëtuan Orbánin nga humbja
Analisti dhe gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit zgjedhore në Hungaria duke kritikuar ashpër praktikat e përdorura nga kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz.
Sipas Kelmendit, shpërndarja e 80 frigoriferëve të markës sllovene “Gorenje” nga ministri i Drejtësisë, Bence Tuzson, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, si dhe raportimet për dhënie parash në këmbim të votës, nuk arritën të ndikojnë në rezultatin final.
Ai thekson se këto veprime tregojnë frikën e pushtetit nga humbja dhe përpjekjet për të manipuluar vullnetin e qytetarëve. “Orbani, i frikësuar nga humbja, kishte lëshuar dorën kohëve të fundit duke shpërndarë favore për të mbetur në pushtet”, shprehet Kelmendi.
Tutje, ai kritikon edhe praktika të tjera si, sipas tij, abuzimi me pushtetin, sulmet ndaj mediave të lira dhe favorizimi i rrethit të ngushtë. Megjithatë, ai nënvizon se as këto nuk garantojnë gjithmonë fitore.
“Shpërndarja e parave për qytetarët, abuzimi me përparësinë që ta jep pushteti dhe sulmet ndaj mediave nuk ta sigurojnë fitoren gjithmonë. Vetëm humbja, kur vjen, bëhet më e turpshme dhe e padinjitetshme”, përfundon ai.
Kelmendi e mbyll reagimin e tij me mesazhin simbolik se “zullumi këputet prej së trashi” duke nënkuptuar se abuzimi me pushtetin ka gjithmonë një fund. /Kosova.info/
