Flamuri i Kosovës s’hiqet nga komuna e Mitrovicës V., Atiqi do serbë në qeverisje

Flamuri që u vendos të premten, valonte edhe të shtunën, në hyrje të ndërtesës së komunës së Mitrovicës së Veriut, ani se largimin e tij nga këtu e kanë kërkuar përfaqësuesit e Listës Serbe.

Simbolin e shtetit të Kosovës nuk dukej se po e ruante kush, por më shumë kujdes për të kërkoi kryetari i asamblesë, Nexhad Ugljanin.

Nëpër derën e objektit me flamur të Kosovës, pritet të hyjnë jo veç shqiptarët. Televizioni mëson që disa drejtori në kabinetin qeverisës të kryetarit të ri, Erden Atiq, që mori detyrën të premten, do të udhëhiqen nga serbët.

Por, për këto pozita konkurrencë e madhe është edhe mes shqiptarëve.

Kushdo që merr poste, mbi dokumentet që do të dalin nga komuna do të duhet ta vendos vulën me stemën e Republikës së Kosovës.

Për t’i diskutuar këto çështje, u takuan të shtunën kryetari i kuvendit, Nexhad Ugljanin e nënkryetarja Katarina Agjanqiq, në diskutimin që kjo e fundit nuk preferoi të xhirohej nga mediat.

Erden Atiq është kryetari i parë shqiptar i Mitrovicës së Veriut. Ai fitoi mandatin ta udhëheqë komunën e themeluar para gati rreth një dekade, pasi fitoi zgjedhjet lokale e 23 prillit, të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët shumicë.

Go to TOP