Flaka Loxha shkëlqen në Zagreb – renditet e 5-ta në Grand Prix 2025
Xhudistja kosovare, Flaka Loxha, ka shënuar një paraqitje të shkëlqyer në Grand Prix Zagreb 2025 duke u renditur në vendin e pestë pas një serie luftesh të forta dhe rezultatesh mbresëlënëse.
Flaka e nisi garën në mënyrë të fuqishme duke mposhtur me Ippon Yamini Mourya nga India në xhiron e parë. Në ndeshjen pasuese, ajo triumfoi me Yuko ndaj italianes Michela Terranova duke siguruar kalimin në çerekfinale.
Në këtë fazë, xhudistja kosovare u përball me Marica Perisic, ndaj së cilës u mposht me Ippon. Megjithatë, Loxha u rikthye fuqishëm në repasazh, ku mposhti me Waza-ari xhudisten franceze Ophelie Vellozzi duke fituar të drejtën të luftojë për medaljen e bronztë.
Në duelin vendimtar për podium, Flaka u ballafaqua me Binta Ndiaye nga Zvicra, ndaj së cilës humbi duke e përmbyllur garën në vendin e pestë.
Pavarësisht mungesës së medaljes, paraqitja e Flakës ishte plot vlerë duke konfirmuar formën e saj të mirë dhe potencialin e lartë për garat e ardhshme.
Urime Flaka për performancën e jashtëzakonshme! /Kosova.info/
