Fitore të reja për Rahovecin e Kastriotin
Rahoveci e Kastrioti kanë vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën të dy skuadrat ishin mysafire, në kuadër të xhiros së 18-të.
Derisa kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, fitoi ndaj Trepçës në Mitrovicë.
“Vreshtarët” fituan me rezultat 41:32.
Guilherme Fernandes i realizoi 10 gola për Rahovecin, kurse Granit Kadiri i shtoi nëntë.
Te Vëllaznimi, Matheus Henrique e Florian Rexha i kishin nga tetë gola.
Ndërkohë Kastrioti fitoi me rezultat 43:27. Jeton Bislimi i shënoi plot 17 gola për ferizajasit, derisa Felippe Teixeira i kishte shtatë.
Eris Beqiri ishte më efikasi te Trepça me shtatë gola, derisa gjashtë i kishte Sali Maxhera.
Rahoveci e Kastrioti i kanë 32 pikë në dy pozitat e para.
Vëllaznimi mbetet i katërti me 16 pikë, kurse Trepça e gjashta me 12 pikë. /Kosova.info/
