FFK i jep ultimatum tre ditësh Prishtinës: Shlyejë obligimet ndaj Krasniqit e Kryeziut ose dalin futbollistë të lirë

Klubi më i madh në vend, Prishtina është duke kaluar nëpër një krizë të madhe financiare.

Në 100 vjetorin e klubit, kryeqytetasit ndodhen në pozitë shumë të palakmueshme, ku ende nuk e kanë të sigurt mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

Sikur mos të mjaftonin rezultatet e dobëta këtë edicion dhe mungesa e daljes në Evropë për edicionin e ri, Prishtina mund të mbetet edhe pa dy yjet e skuadrës, Endrit Krasniqin dhe Leotrim Kryeziun.

Borxhet e shumta që ka klubi ndaj futbollistëve, ka bërë që këta të fundit ta padisin atë në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Endrit Krasniqi

Mësohet se shtëpia më e madhe e futbollit kosovar i ka dhënë ultimatum tre ditësh Prishtinës që t’i shlyej obligimet financiare ndaj dy futbollistëve, Endrit Krasniqit dhe Leotrim Kryeziut, në të kundërtën dyshja do të mbesin të lirë pasi do t’i shkëputet kontrata në mënyrë të njëanshme.

Krasniqi dhe Kryeziu kanë mbetur disa muaj pa u paguar nga Prishtina dhe kjo ka bërë që FFK t’i jap ultimatum bardhekaltërve pas padisë që futbollistët i bën.

Leotrim Kryeziu

Por nuk janë vetëm dy futbollistët e lartpërmendur që kanë paditur klubin në FFK.

Edhe futbollistë të tjerë kanë paditur kryeqytetasit për shkak të detyrimeve financiare dhe lëndët e tyre janë duke u shqyrtuar nga FFK.

Prishtina nëse nuk i kryen obligimet ndaj Krasniqi dhe Kryeziut brenda tri ditëve të ardhshme atëherë dyshja do të mbeten të lirë dhe përsëri Prishtina do të detyrohet t’i paguaj borxhin që ka ndaj tyre. 

Go to TOP