FFK ankohet sërish në UEFA për mesazhet armiqësore të tifozëve të Serbisë

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesën e radhës në UEFA lidhur me përsëritjen e sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste së tifozëve serbë në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit C në Euro 2024, ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, që u zhvillua sot pasdite në Munih.

“FFK dënon thirrjet e tilla nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës me mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit edhe pas dënimeve të UEFA-së është e papranueshme, por njëherësh kërkon edhe rigorizitet më të madh nga organet vendimarrëse të UEFA-së”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Sipas FFK-së, mesazhet e tilla me retorikë shoviniste janë skandaloze, në kundërshtim me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së.

“I bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-së që të jenë rigoroze ndaj përsëritjeve mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian dhe njëherësh nga organizatorët që të rrisin vigjilencën për të mos lejuar shfaqjen e mesazheve të tilla”, thuhet tutje në komunikatë.

FFK thekson se do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit dhe unitetin e respektin ndaj të gjithë të përfshirëve në futboll.

Do theksuar se organet e UEFA-së e kanë dënuar dje Federatën e Futbollit të Serbisë me 10 mijë euro gjobë për shkak të mesazheve dhe thirrjeve kundër Kosovës në ndeshjen e parë që Serbia e zhvilloi kundër Anglisë. /Kosova.info/

Go to TOP