Fetoshi: Emërimi i Spasiq nga Serbia është kërcënim real për Kosovën

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj emërimit të Sreçko Spasiq nga Qeveria e Serbisë në krye të ashtuquajturës “komunë paralele” të Vitisë, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të një strategjie hibride që paraqet kërcënim real për Kosovën, BE-në dhe NATO-n.

Sipas Fetoshit, në kushte normale një vendim i tillë do të dukej qesharak, “si lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, por në kontekstin e “Botës Serbe” ky është një akt perfid që synon të minojë rendin demokratik dhe sovranitetin e Kosovës.

Ai thekson se kandidati që është “tërhequr” nga balotazhi për kryetar të Kllokotit, tani është “shpërblyer” nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të asaj që e quan strategji hibride të Beogradit.

“Sipas Fetoshit, përmes Listës Serbe dhe strukturave paralele, Beogradi po synon të mobilizojë qytetarët serbë kundër institucioneve të Kosovës dhe integritetit të saj territorial.”

Ai shton se, edhe pse këto struktura janë “de facto të shuara”, Serbia i përdor ato për narrativa mashtruese të diskriminimit dhe viktimizimit, si në rastet e Vukashinoviqit nga Leposaviqi dhe Spasiqit nga Kllokoti, ku reagimet ndaj integrimit të serbëve ndëshkohen me frikësim, presion dhe shpërblime politike.

Sipas tij, veprimet e tilla janë pjesë e strategjisë së destabilizimit rajonal, që përfshin bashkërendim me Rusinë dhe propagandë kundër institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

“Serbia e di se arkitektura aktuale politike e Ballkanit Perëndimor e pamundëson ‘Botën Serbe’, prandaj përpiqet ta sfidojë përmes emërimeve imagjinare dhe retorikës kundër Perëndimit”, ka theksuar Fetoshi.

Ai kritikon edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë, të cilët sipas tij “mjaftohen me deklarata për de-eskalim dhe normalizim”, ndërsa Beogradi e lexon këtë si leje për avancimin e agjendës së ‘vëllazërisë sllave’ në Ballkan. /Kosova.info/


Go to TOP