Fermeri pejan: Më mirë të punosh tokën në atdhe sesa të largohesh nga vendi

Punimi i tokës ka qenë dhe do të mbetet kryesor për jetën e secilit, pavarësisht rrethanave të favorshme ose më pak të tilla. Rasti konkret është ai i fermerit Xhavit Shala, i cili në vend se të bëhet pjesë e atyre që zgjedhin rrugët e botës për të mbajtur familjen, ka vendosur të qëndrojë në atdhe e të merret me bujqësi e blegtori. Thotë se ky është ndër vendimet më të mira që ka marrë në jetë.

Tani kur shumë të rinj, të ardhmen po e kërkojnë larg atdheut, Xhavit Shala, nga Rashiqi i Pejës ka vendosur të qëndrojë në vendin e tij. Për punë, ka zgjedhur bujqësinë e blegtorinë. Në tokën e tij, thuajse nuk ka kulturë bujqësore që nuk e ka të mbjellë.

“Këtu janë 70 ari me pasulë, rreth 20 mijë rrënjë pasuli të mbjellë. Krejt e kam qitur me shati me dorë, ndërsa e kam prashitë krejt me dorë vetëm, për një javë. Në ora 5 e mëngjesit jam kanë këtu duke prashitë me shati të dorës edhe katër herë i kam ra me frezë me motokultivator”, tha ai.

Me punën që bën, jeton mirë ai dhe familja e tij 9 anëtarëshe. Idenë për të qëndruar pranë tokës së tij, e quan ndër më të mirat.

“Edhe këtu ka bukë. Babë e babagjysh kanë jetuar këtu në Kosovë tash po dalin në diasporë. Po edhe këtu i kemi tana të mirat, veç duhet përkushtim i madh. Jam familje me 9 anëtarë dhe jetojmë vetëm prej bujqësisë. Këtu i kemi 8 krerë lopë. Vjet i kam pasur 10 copë mirëpo për arsye se shtalla është e vogël na është dashur mi hjek dy për shkak se shtalla nuk ka kapacitet”, shtoi ai.

Punën e vyer të këtij fermeri, e vlerësojnë edhe agronomët. “Një kultivues mjaft i vyer i perimeve kryesisht me të mbjella bishtajore, ka fasulen monokulturë, ka misër grurë dhe domate. Fasula është një kulturë rentabile e cila kohët e fundit po subvencionohet edhe nga Ministria e Bujqësisë ku preferohet që fermerët të mbjellin fasulen, të njihet si monokulturë por mbështetje ta ketë misrin”, tha Bajram Çeku, agronom.

Sidoqoftë, fermeri mendon të zgjerojë kapacitetet, prandaj kërkon mbështetje më të madhe nga institucionet.

Go to TOP