Ferizaj: Një muaj paraburgim për të pandehurin B.R., i dyshuar për vrasjen e rëndë të djalit të axhës së tij

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shkruan Kosova.info.

Sipas njoftimit, pas seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 15 shtator, rreth orës 19:42, në një fshat të Ferizajt, i pandehuri B.R., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme për çështje pronësore, ka privuar nga jeta kushëririn e tij, viktimën I.R.

Sipas aktakuzës, gjatë përplasjes verbale në rrugën e fshatit, i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë armën e tipit ZIG 14 TISAS (Turqi) dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës, duke e goditur në nofull, kraharor dhe parakrahë. Viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Emergjente të Ferizajt si pasojë e plagëve të marra.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit prej një (1) muaji, duke theksuar se ankesat eventuale kundër këtij aktvendimi nuk e shtyjnë ekzekutimin e tij./Kosova.info/


Go to TOP