Fenerbahce shqyrton mundësinë e largimit nga liga pas sulmit

Fenerbahce po e shqyrton mundësinë e tërheqjes nga Superliga turke pasi disa nga lojtarët u sulmuan nga tifozët e Trabzonspor, ka njoftuar klubi turk të hënën.

Një sulm i tifozëve të Trabzonspor ndaj lojtarëve të Fenerbahce të dielën në fund të ndeshjes së Superligës turke ka bërë të nevojshme ndërhyrjen e Policisë për ta vendosur situatën nën kontroll. Ndeshja është fituar me rezultat 2-3 nga Fenerbahce, kurse momenti i tensionuar ka ndodhur pasi tifozët e skuadrës vendase sulmuan lojtarët e Fenerbahçes, Michy Batshuayi dhe Osayi Samuel.

Si pasojë, Fenerbahçe ka njoftuar se planifikon të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme më 2 prill për të diskutuar veprimet e nevojshme pas incidentit, duke përfshirë mundësinë e tërheqjes nga liga.

Aktualisht Galatasaray kryeson tabelën e Superligës turke me vetëm dy pikë më shumë se Fenerbahce.

Go to TOP