Federata e Maqedonisë së Veriut i kërkon Dakut të kërkojë falje publike

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ndaj futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku. Ky i fundit pas ndeshjes Shqipëri-Kroaci mori një megafon nga tifozët dhe së bashku me ta bëri ofendim ndaj maqedonasve, video e cila u bë virale.

Përmes një reagimi zyrtar Federata e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar veprimin e Dakut dhe i ka bërë thirrje atij që të kërkojë falje publike.

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënimin pa mëdyshje lidhur me thirrjet nacionaliste të përfaqësuesit të Shqipërisë, Mirlind Daku drejtuar kundër shtetit maqedonas pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Evropian. Sjellja është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli. I bëjmë thirrje futbollistit shqiptar Mirlind Daku që të kërkojë falje publike për sjelljen e tij, duke njohur dëmin që ka shkaktuar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, që udhëhiqet nga Muamed Sejdini.

Tutje është bërë e ditur se FFMV do t’i dërgojë një letër zyrtare UEFA-s për këtë sjellje të Dakut, të cilën e ka quajtur skandaloze. 

Go to TOP