FC Prishtina e Re shpallet kampione në Ligën e Parë – Grupi B dhe promovohet historikisht në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës ka uruar FC Prishtina e Re për shpalljen kampione në Ligën e Parë – Grupi B dhe promovimin historik në Superligën e Kosovës duke përmbyllur me sukses një sezon të jashtëzakonshëm për klubin nga kryeqyteti.
Në një njoftim zyrtar, FFK ka përgëzuar klubin për këtë arritje madhore duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së palodhshme, përkushtimit të futbollistëve, stafit teknik dhe gjithë strukturës së klubit. Me profesionalizëm dhe vizion të qartë, FC Prishtina e Re ka ndërtuar një ekip të denjë për të garuar në elitën e futbollit kosovar.
“Edhe pse një klub i ri, FC Prishtina e Re po dëshmon se me punë, përkushtim dhe ide të qarta, mund të arrihen gjëra të mëdha,” thuhet në urimin e FFK-së.
Promovimi i FC Prishtina e Re e pasuron futbollin e kryeqytetit me një tjetër ekip në Superligë duke shtuar cilësi, rivalitet dhe emocione në kampionatin elitar.
FFK u ka uruar suksese të mëtejme klubit dhe të gjithë tifozëve që besuan dhe mbështetën këtë projekt ambicioz. /Kosova.info/
