Familjarët e dëshmorëve: Krahas krenarisë, dhimbja po bëhet e madhe
Ata që mbetën gjallë nga beteja e Koshares, sjellin kujtimet e tyre nga fronti. Rrëfimet e tyre tregojnë për luftime në distanca shumë të afërta me ushtrinë serbe.
Arif Maloku nga Juniku, veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së, bashkë me plagët në trup, ruan ende të freskëta kujtimet e çasteve të lavdishme. Ai kujton mëngjesin e hershëm të 9 prillit 1999 në Koshare, kur u thye kufiri dhe u vu nën kontroll karaulla famëkeqe serbe, e cila për më shumë se 50 vjet kishte rënduar mbi popullin shqiptar.
“Ishte një operacion i përgatitur shumë mirë edhe kemi arritur derisa kemi shkuar në 10- 15 metra dhe i kemi asgjësuar çdo minahedhës, gulinova dhe krejt çka i kishin armatimet i kemi asgjësuar me kohë, prandaj kemi pasur sukses dhe nuk kanë pas shans me u kundërpërgjigj. Ditën e parë nuk kemi pasur asgjë që na ka dështuar por çdo gjë ka qenë brenda planit edhe i kemi arritur qëllimet tona për të cilat ishim nisur”, ka thënë Maloku.
”Aty kanë lënë edhe armatim në kazermën ushtarake, pastaj na i kemi përdorë edhe predhat edhe minahedhësat edhe topat e automatikët e tyre dhe ata kanë ikë me vrap teposhtë. Mirëpo janë munduar me bë pastaj edhe shumë organizime, kanë pru shumë forca, të gjitha njësitë ushtarake do të thotë Serbia i ka pru në Koshare por nuk ka mundur me na thye asnjëherë, vetëm kemi përparuar”, ka thënë veterani Shkëlzen Shehu.
Familjarët e dëshmorëve të rënë, në këtë përvjetor, thanë se krahas krenarisë, dhimbja po bëhet edhe më e madhe, pasi sipas tyre, punët nëpër institucione nuk po ecin siç duhet.
“Sa është dhimbja, aq është edhe krenaria. Por më e madhe bëhet mërzia kur shqiptarët nuk janë të bashkuar edhe nuk kanë razi ndër vete. Këta nuk e kanë dhënë jetën shqiptarët me u përça, këta e kanë dhënë jetën shqiptarët me u bashku”, ka thënë familjari i dëshmorit Fadil Maloku, Zenel Maloku.
Beteja e Koshares shënon njërën ndër ngjarjet e rëndësishme të luftës së lavdishme të UÇK-së.
