FFK dënon dhunën ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari: Ai nuk është vetëm

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Në një reagim zyrtar, FFK e ka quajtur këtë ngjarje të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat që sporti dhe shoqëria jonë synojnë të kultivojnë: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.

“Futbolli është sporti që na bashkon. Fusha e gjelbër duhet të jetë vendi ku çdo i ri ndihet i sigurt dhe i vlerësuar, pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë etnike”, thuhet në reagim.

FFK ka shprehur solidaritet të plotë me Belginin dhe me çdo sportist tjetër që përballet me padrejtësi duke theksuar përkushtimin e saj për të mbrojtur të drejtat e të gjithë futbollistëve dhe për të ndërtuar një ambient të lirë nga diskriminimi dhe paragjykimet.

“Futbolli i Kosovës nuk lejon dhe nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo diskriminimi”, është theksuar nga FFK, e cila përmes programit Grassroots gjatë gjithë vitit zhvillon aktivitete gjithëpërfshirëse, me fokus të veçantë tek grupet e margjinalizuara.

Në mbështetje të Belgin Jasharit, FFK në bashkëpunim me KF Fushë Kosova do të organizojë aktivitete të posaçme gjatë javës së ardhshme. Gjithashtu, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, do ta vizitojë personalisht Belginin për të shprehur përkrahjen e institucioneve të futbollit.

“Belgini është pjesë e familjes sonë të futbollit. Ai nuk është vetëm”, ka përfunduar reagimi i FFK-së. /Kosova.info/


Go to TOP