Erando Karabeci, lojtar i ri i Prishtinës

Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit shqiptar, Erando Karabeci, i cili së fundmi luajti te kampioni i Shqipërisë, Teuta e Durrësit.

Kampioni i Kosovës ka vazhduar me përforcime edhe pas nisjes së sezonit 2021/22, pasi synon ta mbrojë titullin në Superligën e Kosovës.

Prishtina së fundmi ka nënshkruar me mesfushorin shqiptar, Erando Karabeci, i cili ka bërë karrierë në klubet e mëdha shqiptare, ndërsa ka fituar shumë trofe.

“Mesfushori i shquar i Superligës Shqiptare, Erando Kadrabeci ka nënshkruar me Kampionin aktual të Kosovës, Prishtina”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.

Për Karabecin, Prishtina është klubi i pestë në karrierën e tij, pasi më parë luajti edhe me Partizanin, ku ishte pjesë e tyre deri në vitin 2009, pastaj tek Tirana (2009-2013), prej ku huazohet tek Kukësi për dy muaj në vitin (2013) në garat evropiane, pastaj kthehet sërish te Tirana deri në vitin (2020) dhe krejt në fund kalon tek Teuta e Durrësit në edicionin e fundit (2020-2021).

Go to TOP