Ekspertët: Nuk ka vendim për largimin e forcave amerikane, baza Bondsteel mbetet kyçe për sigurinë në rajon

Letër nga republikanë e demokratë: Tërheqja nga KFOR mund të destabilizojë Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor

Disa anëtarë të Kongresit amerikan, si nga Partia Republikane ashtu edhe nga ajo Demokratike, i kanë bërë thirrje sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që të parandalojë çdo kufizim të mundshëm të trupave amerikane në Kosovë.

Në një letër të dërguar më 11 mars, kongresmenët kanë shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me raportimet se administrata e presidentit Donald Trump mund të shqyrtojë tërheqjen e një pjese të forcave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ata paralajmëruan se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane mund të shkaktojë paqëndrueshmëri jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në një kohë të brishtësisë së shtuar politike dhe të rritjes së ndikimit keqdashës në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën”, thuhet në letër.

Reagimi i kongresmenëve vjen pasi gazeta amerikane Politico raportoi më 19 shkurt, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga aleatët të shqyrtojnë kufizimin e disa angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.

Krasniqi: Prania amerikane në Bondsteel mbetet strategjike për rajonin

Gazetari i karrierës dhe njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Krasniqi, në një prononcim për Kosova.info, thotë se pavarësisht diskutimeve rreth strategjisë së re të sigurisë së SHBA-së, aktualisht nuk ekziston ndonjë vendim për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Sipas tij, forcat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit të NATO në Kosovë dhe misioni i KFOR po vazhdon normalisht.

Ai thekson se edhe nëse në të ardhmen do të ketë një reduktim të pranisë amerikane në bazën ushtarake Camp Bondsteel, siguria e Kosovës pritet të mbetet nën mbrojtjen e NATO-s, me rol më të madh të vendeve si Turqia, Italia apo Gjermania.

Kuçi: Reagimi i senatorëve amerikanë është sinjal pozitiv për Kosovën

Ndërkaq, profesori në Kolegjin Universum, Gurakuç Kuçi, thotë se NATO në mënyrë të vazhdueshme rishikon praninë e trupave të saj, duke bërë ristrukturime, rotacione apo rregullime të numrit të tyre sipas vlerësimeve të sigurisë dhe nevojave operacionale.

“Vitet e fundit çdo lëvizje e trupave të KFOR është shoqëruar me narrativë mediatike, kryesisht nga mediat serbe, se SHBA-ja po tërheq trupat nga Kosova, ndonëse një lajm i tillë shpesh nuk është konfirmuar nga burime të besueshme”, tha Kuçi për Kosova.info.

Kuçi e konsideron reagimin e kongresmenëve amerikanë si zhvillim pozitiv, pasi tregon se Kosova vazhdon të mbetet në vëmendjen e institucioneve vendimmarrëse në SHBA dhe se siguria në Ballkanin Perëndimor mbetet një interes strategjik për Uashingtonin.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Por, ky mision paqeruajtës, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve fqinje që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara. /Kosova.info/


Go to TOP