Ekskluzive: Këto ndërmarrje publike në Prishtinë pritet t’i takojnë LDK-së

Burime të Kosova Info mësojnë se disa ndërmarrje publike në Prishtinë pritet t’i kalojnë LDK-së në kuadër të marrëveshjes së koalicionit komunal.

Bëhet fjalë për ndërmarrjet Termokos, Trafiku Urban, Sport Marketing dhe Kuzhina Qendrore, të cilat sipas këtyre informacioneve pritet t’i takojnë LDK-së në ndarjen e përgjegjësive menaxheriale.

Burime pranë procesit thonë se shumë shpejt pritet që kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe Kuvendi Komunal të procedojnë me emërimin e aksionarëve për këto ndërmarrje. Pas kësaj faze, aksionarët do të kenë rol në formimin e bordeve drejtuese, të cilat më pas do të caktojnë menaxhmentin dhe drejtorët e rinj.

Ky proces shihet si pjesë e marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit LDK, PDK, AAK dhe Nisma, si dhe Lidhjes së Prishtinës në qeverisjen lokale.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Komuna e Prishtinës lidhur me ndarjen përfundimtare të këtyre ndërmarrjeve./Kosova.info/

Go to TOP