Ekspertët e sigurisë: Nuk do të ketë luftë në Kosovë

Ekspertët e sigurisë, Hajrullah Tërnava dhe Nuredin Ibishi, kanë deklaruar se Kosova nuk kërcënohet nga lufta. Por sipas tyre, krerët e shtetit nuk duhet të cungohen në deklaratat ndaj rreziqeve të mundshme që vijnë nga Serbia apo agjenturat ruse.

“Me vetë faktin që Kurti është kryeministër i vendit dhe udhëheq politikat e Kosovës ai duhet të jetë në hap me kohën dhe t’i parashoh gjërat më herët dhe me ngrit vetëdijesimin e strukturave ndërkombëtare që janë rreth kufijve të Kosovës”.

“Ne nuk duhet të merremi tash nëse dikë e ka rrok panika pse kryeministri ka thënë ashtu. Ai është kryeministër dhe duhet sa nuk është bërë vonë me ngrit atë vetëdije. Mendoj se nuk është diçka e tepërt. Nëse ish bërë më e keqja dhe me ndërhy NATO-ja kishim thënë ku ishte ti pse nuk reagove më herët”, ka deklaruar Tërnava në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se tek të gjitha institucionet e shtetit vetëdijesimi duhet të jetë në nivel.

“Të gjithë ne duhet ta ngrisim vetëdijen tonë sepse ai konflikt po zgjat që 22 vjet, sidomos tani kur është një luftë permanente Rusi-Ukrainë. Sidoqoftë, nuk rrezikojmë luftë, sepse po të rrezikojmë ne luftë vjen deri te Lufta e Tretë Botërore. Mund me pas konflikte që me tërheq vëmendjen edhe në bisedimet e Brukselit që me mujt Serbia me shkëput një pjesë të veriut”, ka shtuar Tërnava.

Sipas tij, Serbia e ka të qartë se garancat e territorit të Kosovës i ka KFOR-i dhe NATO dhe e di fare mirë se çfarë ka ndodhur në vitin 1999.

Në anën tjetër, Nuredin Ibishi, ka thënë se nuk dëshiron ta interpretojë deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, por mendon se në aspektin e sigurisë, Serbia nuk mund të nisë një luftë në Kosovë.

“Ajo çdo herë pretendon, duke e zgjuar ekstremin e saj këtu brenda, që të krijojë viktima. Brenda pak minutash ta mobilizojë gjithë atë masë është një formë organizimi. Ata veprojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar”.

“Ne po themi se politikanët tanë duhet të jenë më të matur në aspektin e deklarimeve publike e politike. Por, pse të mos deklaron që është rreziku për luftë. Vuçiqi po thotë se kemi qenë para një rreziku më të madh ndonjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. E ka përdor atë retorikë nënstop”, ka thënë Ibishi.

Ai tutje ka theksuar se pikërisht presidenti serb, Aleksandar uçiq i thirri ekstremistët në veri së bashku me Listën Serbe i mobilizojë dhe i udhëzojë si të veprojnë.

“Prandaj, nuk duhet t’ia zëmë për të madhe kryeministrit kur flet në një nivel të tillë sepse ne çdo herë kemi qenë të heshtur, sidomos tani në një situatë kur po shihet një interferim i rusëve që po e mbështesin Vuçiqin dhe po duan me çdo që me shtrirjen e zbatimit të ligjit në veri të krijojnë ndonjë viktimë, me qëllim para ndërkombëtarëve me thënë se ja çfarë po bëhet ndaj serbëve”.

“Strategjia serbe është që çdo ndërmarrje policore në veri t’i aktivizojë forcat ekstreme me qëllim që të krijojë viktima dhe t’i përjashtojë operacionet e policisë në veri”, ka nënvizuar Ibishi, sipas të cilit nuk do të ketë luftë në Kosovë.

Go to TOP