Edhe dy garues kosovarë marrin ftesë për Lojërat Olimpike

Dy notarët Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Kjo ftesë është konfirmuar këtë të mërkurë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar sipas vendeve të Univerzalitetit, vende këto që janë të rezervuara për sportet e notit dhe atletikës, njofton Klankosova.tv.

Zeqiri do të garojë në disiplinën 400 metra stil i lirë ndërsa Kondirolli në 100 metra stil i lirë.

Në ftesën dërguar Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Notit të Kosovës nga Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA), thuhet se të dy notarët janë renditur më së larti nga garuesit kosovarë në renditjen e pikëve të FINA-s.

Gjatë ditës së mërkurë është konfirmuar ftesa për pjesëmarrje edhe për atletin, Musa Hajdari, që do të garojë në 800 metra vrapim.

Kujtojmë se Komiteti Olimpik i Kosovës momentalisht ka 11 sportistë të konfirmuar për “Tokio 2020” ku prej tyre gjashtë janë me normë olimpike.

Me normë olimpike janë pesë xhudistët: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, si dhe mundësi Egzon Shala.

Ndërkohë nga komisioni Tre-Palësh janë ftuar shenjëtari Drilon Ibrahimi dhe boksierja, Donjeta Sadiku.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 mbahen prej 23 korrik deri më 8 gusht të këtij viti.

Go to TOP