Dyshime për dy raste dhunimi, njëra në Prishtinë e tjetra në Pejë
Java nisi e trishtë në Kosovë. Një vajzë 9 vjeçe, dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore në rrugën “Zahir Pajaziti” në Pejë. Rasti është konfirmuar nga Prokuroria në Pejë.
“Është raportuar si rast i dhunimit ku viktima është e mitur, derisa personi është i moshës madhore, i cili është ndaluar. Prokurori brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Për viktimën duhet të jemi të rezervuat për shkak se është e mitur”, ka konfirmuar Shkodran Niçki, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
Por ky nuk ishte rasti i vetëm. Një 14-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga disa persona në Prishtinë.
Rasti raportohet të këtë ndodhur mbrëmë pas mesnate në një objekt në ndërtim e sipër në Prishtinë. Të dyshuarit fillimisht raportohet se kanë detyruar vajzën të konsumojë substanca narkotike dhe më pas dyshohet se e kanë dhunuar të miturën. Policia e Kosovës dhe Prokuroria po merren me rastin.
“Lidhur me rastin e lartcekur Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor”, konfirmoi Policia e Kosovës.
Për rastin ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
“Rrjeti i Grave të Kosovës është thellësisht e indinjuar nga rasti i tmerrshëm ku një e mitur dyshohet se është dhunuar nga pesë persona. Kjo ngjarje tronditëse, sipas mediave lokale, përfshin drogimin dhe më pas dhunimin e të miturës nga pesë persona. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave por edhe dinjitetit njerëzor, e për më tepër duhet të jetë thirrje urgjente për veprim nga të gjitha institucionet dhe shoqëria jonë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Rrjeti i Grave u bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri dhe urgjencë, duke siguruar hetime të hollësishme për ndëshkimin maksimal të kryerësve, në përputhje me ligjin.