Dugolli: Ura e Ibrit gjithsesi duhet të hapet

“Qeveria e Kosovës e ka për detyrë kushtetuese që të veprojë në tërë territorin e vet për ta shtrirë rendin dhe ligjin. Funksionimi i shtetit ligjor për të gjithë qytetarët duhet të bëhet realitet në Kosovë”. Kështu deklaroi në emisionin “RTK Prime” në RTK, profesori universitar, Bujar Dugolli, duke diskutuar për çështjen e veriut.

Duke komentuar deklaratat e NATO-s se janë të zhgënjyer për veprimet e fundit në veri, profesori Dugolli tha se “aq sa mund të jenë ata të zhgënjyer me ne, aq mund të jemi ne të zhgënjyer me ta për faktin se ne kemi një qasje të pabarazisë totale në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

Ai tha se është Serbia ajo që e shkeli edhe marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, që tentoi  ta gllabërojë veriun dhe të krijojë një realitet të ri në terren për t’a shkëputur atë territor me politika të ngjashme të Rusisë si në Donbas e në Krime.

“Me të njëjtat qasje dhe më të njëjtat shërbime të implikuara Rusia dhe Serbia e forcat paramilitare të Radoiçiqit tentuan ta gllabërojnë atë territor. Ne pritëm me të drejtë që bashkësia ndërkombëtare të jetë e ashpër në këtë drejtim. Ajo deklarativisht në fillim ishte e ashpër por nuk vazhdoi më tutje. Ne e kemi një trajtim totalisht të pabarabartë dhe kemi të drejtë si Kosovë dhe si institucione të jemi shumë të zhgënjyer ndaj tyre”, tha ai.

Duke folur për koordinimin e qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veriun , ai tha se ka çështje që duhen të koordinohen e ka të tjera që nuk duhet koordinuar me ta.

“Qeveria e Kosovës e ka për detyrë kushtetuese që të veprojë në tërë territorin e vet për ta shtrirë rendin dhe ligjin. Funksionimi i shtetit ligjo për të gjithë qytetarët njësoj qoftë shqiptarë, qoftë serbë apo nacionalitete tjera duhet të bëhet realitet në Kosovë. Duhet edhe shqiptari të jetë i gatshëm të lëvizë në çdo cep të Kosovës, dhe të mos ketë sulme nga kriminelë e banda. Prandaj, kjo nuk ka ndodhur në një pjesë të Kosovës, ndërsa tani kur kjo është realitet dhe po ndodh mbase dikush ka pasur kalkulime tjera politike dhe ekonomike dhe i janë prishur”, deklaroi ai.

E duke folur për vendosjen e KFOR-it në urën e Ibrit, ai tha se nuk është ndonjë problem, pasi që ura është e qarkullueshme për këmbësor.

“Nuk është e qarkullueshme për makina sepse janë disa beton aty, të cilët i ruan KFOR-i. Po ajo është një absurd i llojit të vet. Nuk ka kurrfarë elementi të rrezikut të qarkullimit të veturave”, nënvizoi ai, duke theksuae se Ura e Ibrit gjithsesi duhet të hapet.

Go to TOP