Drita mposhtet në fund pas rikthimit të madh

Drita është mposhtur në mënyrë dramatike 3-2 nga Celje në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Conference League, me golin vendimtar që erdhi në minutat shtesë.

Kjo ani pse Drita e ka bërë një rikthim të madh në pjesën e dytë, pasi pjesa e parë i ka takuar skuadres mysafire. 

Skuadra gjilanase e ka nisur shumë mirë takimin dhe në dhjetë minutat e parë ka krijuar dy raste të mira me Veton Tushën dhe Vesel Limajn, por pa arritur të shënojë.

Mysafirët sllovenë nuk kanë falur.

Në minutën e nëntëmbëdhjetëtë, pas një goditje të Ivan Calusic që është përplasur në portier, topi është kthyer te Armandas Kucys brenda zonës, i cili ka realizuar për 0-1.

Pak para pushimit, në minutën e dyzet e dytë, Milot Avdyli e ka pranuar një asistim të saktë dhe me një goditje në këndin e sipërm të djathtë e ka dyfishuar epërsinë në 0-2, rezultat me të cilin është mbyllur pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Drita është shfaqur ndryshe. 

Fillimisht në minutën e pesëdhjetë e nëntë, Liridon Balaj ka asistuar për Blerim Krasniqin, i cili me kokë e ka dërguar topin në rrjetë për 1-2.

Vetëm pak minuta më vonë ka ardhur edhe goli i barazimit. Vesel Limaj ka shërbyer në skajin e zonës për Liridon Balajn, i cili me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë ka realizuar për 2-2.

Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, ka ardhur goditja e fundit. Në minutën katërt të kohës shtesë Rudi Pozeg ka asistuar nga krahu, ndërsa Matej Poplatnik me kokë nga afërsia e e ka dërguar topin në anën e djathtë të portës për 2-3.


Go to TOP