Drita dhe Lidhja e Prizrenit fitojnë Kupën e Kosovës 2025, TTC Ferizaj triumfon te U15
Në Palestrën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë, të dielën është zhvilluar gara për Kupën e Kosovës në pingpong për kategorinë e seniorëve dhe juniorëve U15.
Te seniorët, favoritët e edicionit e konfirmuan formën. Drita te femrat dhe Lidhja e Prizrenit te meshkujt, përveç titullit të kampionit ekipor për vitin 2025, fituan edhe trofeun e Kupës së Kosovës.
Finalet te seniorët sollën përballje të njëjta si në edicionin 2024. Te femrat u takuan Drita dhe Prishtina, ndërsa te meshkujt Lidhja e Prizrenit dhe Liria.
Në gjysmëfinale, Drita e mposhti Lirinë e Prizrenit me rezultat 3:0, ndërsa Prishtina fitoi ndaj Ahmet Hoxha me 3:1. Në finale, Drita triumfoi ndaj Prishtinës me 3:1, duke ia marrë Kupën fitueses së vitit 2024.
Te meshkujt, Lidhja e Prizrenit në gjysmëfinale fitoi ndaj Dardania me 3:1, ndërsa Liria ishte bindëse ndaj Shkolla Prizrenit me 3:0. Finalja ishte e fortë dhe e baraspeshuar. Me rezultat 3:2, fitorja i takoi Lidhjes së Prizrenit, e cila mbrojti titullin e fituar një vit më parë.
Në kategorinë e juniorëve U15, favorite ishte KVPP Prizreni, kampione e garave ekipore për vitin 2025. Megjithatë, surprizën e edicionit e bëri TTC Ferizaj, që fitoi Kupën për herë të parë.
Në gjysmëfinale, TTC Ferizaj mposhti Ahmet Hoxhën MK me 3:1, ndërsa KVPP Prizreni fitoi ndaj Gani Malokut me 3:0. Në finale, TTC Ferizaj tregoi lojë më të mirë dhe fitoi ndaj KVPP Prizrenit me 3:1, duke e mbyllur edicionin si fituese e Kupës U15.
Federata e Pingpongut e Kosovës ka falënderuar edhe KPP Dardania për bashkëpunimin në organizim dhe përgatitjen e shkëlqyer të arenës së lojës.
