Dorëheqjet e policëve në veri, mendohet rikthimi i tyre në uniformë

Në një raport prej 40 faqesh, Qeveria e Serbisë ka përpiluar “ngjarjet dhe zhvillimet” që sipas saj kanë ndodhur në procesin e bisedimeve me Kosovën në periudhën kohore 1 shtator 2022-15 janar 2023.Në disa nga pasazhet e dokumentit që u dorëzua në parlamentin serb për diskutim, flitet edhe për zhvillimet në Policinë e Kosovës, më saktësisht në rajonin e veriut.

Më 5 nëntor 2022, pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga institucioni i rendit dhe ligjit me arsyetimin se janë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, për ndërrimin e targave të automjeteve nga ato të Serbisë (KM) në ato të Kosovës (RKS), njofton Klan Kosova.

Në një paragraf, raporti i qeverisë në Beograd dorëheqjet e serbëve nga policia kosovare i quan “largim të përkohshëm”.

Të dielën e pesë shkurtit, bëhen tre muaj nga dorëheqja e serbëve nga Policia e Kosovës, rajoni veri.

E më 26 janar, Ministria e Punëve të Brendshme zgjati edhe për 10 ditë tjera afatin e konkursit për pjesëtarë të rinj të policisë nga komunitetet jo-shumicë.

Veroljub Petroniq, nga organizata jo-qeveritare “Qendra Humane Mitrovica” thotë se “ekziston në horizont” mundësia për ujdi politike për kthimin e një pjesë të të dorëhequrve në polici.

“Jo zyrtarisht kemi marrë informacione që numër i caktuar i njerëzve do të kthehen. Me gjasë që do të bëhet selektimi. Ata që janë të aftë për të kryer punën dhe ata të cilat në ndërkohë nuk kanë kryer asnjë veprimtari pra pa dosje kriminale, e kështu me radhë”, tha Petroniq.

“Ne e kemi një vakum të sigurisë e që me të vërtetë është problem i madh. EULEX s’ka kapacitete. Kemi informacione që shumë policë nga komuniteti serbë pra nga Graçanica, Shtërpca, Anamorava që e kanë detyrim pune, vijnë në veri për një lloj ndihme”, shtoi ai.

Pos nga policia, personeli e zyrtarët nga pakica serbe në katër komunat veriore u tërhoqën edhe nga prokuroria, gjykata, e pozitat e kryetarëve të komunave.

Për pozitat e pushtetit lokal zgjedhjet janë shpallur që të mbahen më 23 prill.

Go to TOP