Donjeta Sadiku me fitore bindëse në Brazil

Boksierja Donjeta Sadiku ka fituar bindshëm në meçin e parë në Kupën Botërore që po mbahet në Brazil.

Në kuadër të xhiros së dytë në kategorinë deri 60 kilogramë, Donjeta të mërkurën mbrëma u përball me boksieren nga Zelanda e Re, Jordan Wilson.

Boksierja kosovare dominoi nga fillimi e deri në fund. Që në raundin e parë, Wilsonit iu numërua dy herë nga gjyqtari në ring. Pas një goditje të fortë të Donjetës, kundërshtares së saj iu numërua edhe në raundin e dytë.

Në raundin e tretë u shkëmbyen shumë goditje, ndërsa Donjeta fitoi me vendim unanim, 5:0.

Përballjen e radhës Donjeta do ta ketë ndaj polakes Aneta Elzbieta Rygielska.

Në Brazil boksoi edhe Shpëtim Bajoku, që humbi në meçin e parë në kategorinë deri 65 kilogramë.
Kupa e Botës në Brazil vlerësohet prej garave të forta të boksit amator.

Boksi amator, përkatësisht olimpik, është në fazë kalimtare pas krijimit të federatës së re, World Boxing.


Go to TOP