Donatorë vendas e nga mërgata, hapin puse në Hajvali
Donatorë vendës dhe nga mërgata kanë mundësuar hapjen e puseve për t`i furnizuar institucionet publike me ujë të pijshëm dhe për nevoja të tjera higjienike në Hajvali.
Hapja e bunarëve nga humanistët ka mundësuar furnizimin me ujë për çerdhe, Qendër të Mjekësisë Familjare dhe shkollat e Hajvalisë.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve e kanë mirëpritur këtë projekt.
“Është e mirëpritur shumë hapja e këtij bunari, është një lehtësim për neve si kopsht kur në rast nevoje të ndërprerjes së ujit nga ujësjellës, na lehtëson neve si kopsht” tha edukatorja e kopshtit, Fahrie Abdyli.
“Ndonjëherë kur ka pasë prishje të gypave të ujësjellësit, ne e kemi aktivizu edhe kurrë nuk kemi mbetë pa uj. Kjo është një realitet që na ka mundësu mirëmbajtjen e pastërtisë edhe të gjitha punët tjera në shkollë” tha Xhevat Rafuna, drejtor shkolle.
Furnizimi me ujë është mundësuar nga donatorë vendës e nga mërgata.
“Ende në Kosovë mundemi me thënë që ka nevojë për bunarë sepse kemi edhe fshatra të thella dhe qendra siç është Qendra e Mjekësisë Familjare, po edhe çerdhe dhe shkolla që e kanë shumë të nevojshme ujin ta kenë prezent në ambientet e tyre”, deklaroi Xheladin Fazliu nga shoqata “Bereqeti”.
Zyrtar të organizatës “Bereqeti”, premtojnë se do të hapen puse për sigurim të ujit aty ku është e nevojshme.