Doarsa Kica-Xhelili: Vota e mërgatës për LDK do të mbrohet, akuzat e LVV janë të pabaza
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj pretendimeve të LVV-së për manipulime në votat e diasporës. Ajo ka deklaruar se nga 40 mijë votues të regjistruar të LDK-së në mërgatë, kanë votuar rreth 20 mijë prej tyre, gjë që sipas saj ishte vetëm gjysma e synimit të partisë.
Kica-Xhelili theksoi se, pavarësisht këtij rezultati, ky fakt po i pengon LVV-së, ndërsa ironizoi me heshtjen e pushtetit për votat e marra nga kjo parti në konsullata, për fletëvotimet pa vulë dhe për dyshimet mbi transportin e votave nga vendet e rajonit.
“Nuk i penguan 80% e votës për VV në konsullata, nuk i pengonte as Ministrja Gërvalla që përmes përfaqësive diplomatike organizonte tubime partiake. Por ama, atyre po i pengon që rreth 20 mijë vota të mërgatës i mori LDK,” tha ajo.
Deputetja e LDK-së u zotua se vota e mërgatës për këtë parti do të mbrohet nga çdo akuzë duke e cilësuar rritjen e LDK-së në këto zgjedhje si fillimin e ringritjes së partisë.
“Le t’i çmendin, ngritja jonë prej 70 mijë votash është vetëm fillimi,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
