Dhurohen libra për Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Qendra e Paraburgimit në Prishtinë është pasuruar sot me një donacion prej 85 tituj librash, të ofruar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Librat u dhuruan nga Drejtoresha e këtij institucioni, Tetua Shala, ndërsa në emër të Qendrës  ato u pranuan nga Salih Ademi.

Sipas SHKK-së ky kontribut ka për qëllim të pasurojë fondin e bibliotekës së Qendrës, duke ofruar mundësi më të mëdha për zhvillim intelektual dhe kulturor të të paraburgosurve. Përmes leximit, synohet të mbështetet procesi i rehabilitimit dhe risocializimit, si dhe të nënvizohet rëndësia e dijes dhe edukimit për individët e privuar nga liria.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shprehur mirënjohje për këtë dhuratë me vlerë, e cila kontribuon në krijimin e një mjedisi më edukues, më human dhe më të orientuar drejt përmirësimit të kushteve në institucionet korrektuese. /Kosova.info/


Go to TOP