Dhjetëra persona të vdekur nga shpërthimi në një xhami në Afganistan

Të paktën 100 persona kanë vdekur dhe janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një xhami në veri të Afganistanit të premten, i cili ka shënjestruar besimtarët myslimanë shiitë, ka thënë një zyrtar policor taliban, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyrtari Dost Mohammad Obaida, zëvendës-shef policor për provincën Kunduz, ka thënë se “shumica e tyre janë vrarë”.

Edhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan ka përmendur shifrat e njëjta.

“Incidenti i sotëm është pjesë e shenjave shqetësuese të dhunës pasi është sulmi i tretë vdekjeprurës këtë javë që shënjestron institucione fetare. Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për incidentin e së dielës afër një xhamie në Kabul. Sulmi i së mërkurës në një medrese në Khost nuk dihet se nga kush është kryer”, ka thënë misioni i OKB-së përmes një postimi në Twitter.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e së premtes, i cili ka ndodhur në qytetin Kunduz, kryeqytetin e provincës me të njëjtën emër, mirëpo militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), kanë histori të gjatë të sulmeve kundër minoritetit shiit mysliman të Afganistanit.

Nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të shënojë shifrën më të lartë të viktimave në një sulm, prej largimit të forcave ndërkombëtare nga Afganistani në fund të muajit gusht, dhe prej kur talibanët kanë marrë pushtetin.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se xhamia shiite ka qenë shënjestër dhe një “numër i madh” i besimtarëve janë vrarë dhe janë plagosur.

Ai ka thënë se forcat speciale të talibanëve kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar incidentin.

Go to TOP