Dhjetë vjet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Sot u mbushën dhjetë vjet nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, pas shpërbërjes së Kuvendit të atëhershëm, i cili kishte disa muaj që ishte jofunksional pasi Qeveria humbi shumicën.

Ishte data 7 maj 2014 kur koalicioni qeverisës PDK-AKR u shemb me iniciativë të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Ish-presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga kishte pritur në takim Thaçin, kreun e AKR-së, Behxhet Pacolli por edhe liderin e opozitës së atëhershme, Isa Mustafa, ku u vendos që të shpërndahet Kuvendi.

Mocioni ishte kërkuar nga 57 deputetë nga PDK-së dhe LDK-së, si rezultat i një marrëveshje paraprake mes këtyre dy partive.

Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 7 maj 2014 me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime. Kjo shpërbërje e detyroi vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare 8 qershor 2014, ani pse nuk ishte hera e parë që vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet 2014 u mbajtën sipas ligjit të vjetër zgjedhor, pasi me gjithë reformën e filluar atëherë, udhëheqësit e subjekteve politike nuk arritën pajtueshmëri mbi ligjin e ri për zgjedhjet.

Në këto zgjedhje garuan 30 subjekte politike, ndër të cilat 18 parti, 7 iniciativa qytetare, një kandidat i pavarur dhe katër koalicione.

Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor 2014, ku Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për Presidencë.

Go to TOP