Dënohet me 20 mijë euro gjobë biznesmeni i akuzuar për falsifikim të dokumenteve e keqpërdorim në prokurim publik

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me 20 mijë euro gjobë të akuzuarin Altin Xhemajli, pas arritjes së marrëveshjes me Prokurorinë për pranimin e fajësisë për veprat penale: falsifikim dokumentesh, mashtrim i blerësve, dhe keqpërdorim në prokurim publik. Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjyqtari Ilir Bytyqi.

Xhemajlit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshin ndalimin e ushtrimit të profesionit për një vit nga dita kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Në këtë rast, përveç Xhemajlit, janë akuzuar edhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Ferizajt dhe biznesmeni Bahri Xhemajli, por për shkak të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, procedura gjyqësore ndaj Altin Xhemajlit është veçuar.

Në seancë, gjyqtari Bytyqi konfirmoi se marrëveshja mes Xhemajlit dhe Prokurorisë është arritur pas konsultimeve të mjaftueshme dhe e njëjta është pranuar me vullnet të plotë nga i pandehuri. Gjyqtari shtoi se, pas aprovimit të marrëveshjes, palët nuk kanë të drejtë të heqin dorë prej saj.

Në këtë seancë dëshmoi edhe Denis Rashiti, i cili pranoi të ketë qenë i përfshirë si vullnetar për të ndihmuar organizatorët, por pa rol të caktuar.

Go to TOP