Demi: Opozita më e civilizuar dhe me programe më të mira, por e penalizuar nga teknologët politikë në media
Analisti Agron Demi nga instituti “GAP” ka kritikuar ndikimin e teknologëve politikë në media, duke theksuar se partitë opozitare, përkundër reformave dhe programeve të dukshëm më të mira, janë penalizuar në debatet televizive.
Sipas Demit, ish-strukturat e partive opozitare tani luajnë rolin e analistëve në studio, shpeshherë duke qenë më të ashpra në fushatë sesa vetë subjektet politike.
Ai thekson se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka arritur të korrë sukses elektoral të madh, pavarësisht bojkotimit të këtyre mediave dhe mungesës së angazhimit për katër vjet.
Demi sugjeron se partitë opozitare duhet të distancohen nga mediat të cilat, sipas tij, nuk janë më burime të mirëfillta informacioni, por platforma të kontrolluara nga strategë politikë.
“Gazetaria duhet t’u kthehet gazetarëve, jo teknologëve politikë, të cilët mburren me shikueshmëri e klikime, por në fund rezultati i zgjedhjeve tregoi se qytetarët i ndjekin për argëtim, njësoj siç ndiqnin ‘Stupcat’ dhe ‘Treshi Përsheshin’ dikur,” përfundon ai. /Kosova.info/
