Deliu-Kodra i rikujton Albulena Haxhiut sulmin seksist të bashkëshortit të saj: Ngjarja nuk u trajtua kurrë institucionalisht
Deputetja e PDK-së i përgjigjet ministres Haxhiu duke theksuar se kritikat ndaj Fitore Pacollit nuk lidhen me gjininë, por me dyshimet për korrupsion – ndërsa Haxhiu e akuzon për përkrahje të marrëveshjeve të dëmshme dhe heshtje për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke i rikujtuar një ngjarje të ndodhur më 28 korrik të vitit 2016, kur, sipas saj, ishte viktimë e një sulmi me përmbajtje seksiste nga bashkëshorti i Haxhiut. Deliu-Kodra thekson se ky incident nuk ka marrë asnjëherë trajtimin e duhur institucional duke e cilësuar si të rëndë dhe të paharrueshëm.
Në reagimin e saj, Deliu-Kodra ka theksuar se “askush nuk po e sulmon Fitoren për shkak të gjinisë, por për dyshimet e bazuara për keqpërdorim”. Ajo shton se debati duhet të fokusohet në çështjet e korrupsionit dhe jo të shtrembërohet në një drejtim gjinor.
Ndërkohë, Albulena Haxhiu ka reaguar duke e quajtur Blerta Deliu-Kodrën si “deputeten më konsistente në përkrahjen e të gjitha marrëveshjeve të dëmshme në Kuvend”. Ajo theksoi se nuk do të merrej me të, nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë. Sipas saj, qëndrimi i Deliu-Kodrës kundër njohjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës mbetet një nga momentet më të dhimbshme të kujtesës së saj politike.
Haxhiu e përmbyll reagimin me kërkesën që Deliu-Kodra duhet të kërkojë falje për votimet e saj për marrëveshjet si ajo për Zajednicën, Gjykatën Speciale, Demarkacionin dhe për refuzimin për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës seksuale, në mënyrë që reagimet e saj të merren seriozisht. /Kosova.info/
