Çollaku: Ndërkombëtarët t’i qasen më me seriozitet propagandës serbe

Njohësi i çështjes së sigurisë Fatmir Çollaku, duke folur për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë, deklaroi se qasja e ndërkombëtarëve duhet të jetë më kritike ndaj Serbisë. Ndërkohë sipas tij, përfaqësuesit tanë politikë duhet të tregohen të mençur dhe të përdorin argumentet që mundësojnë fitoren diplomatike e politike.

Në magazinën informative “InfoPlus”, në RTK, Çollaku tha se në prag të mbledhje së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbia, sikurse në të kaluarën, po bën luftë propaganduese kundrejt Kosovës, sidomos në veri të vendit, duke e paraqitur popullatën civile serbe si të terrorizuar e të traumatizuar nga organet e sigurisë së Kosovës.

 “Nëpërmjet pak aleatëve që ka Serbia me pompozitet të madh dëshiron që të paraqesë gjendjen kinse serbët luajalë në veri të Kosovës janë të traumatizuar, janë të terrorizuar, që në të vërtetë nuk është asgjë e saktë në këtë drejtim”, tha Çollaku.

Ai më tej tha se, sikurse në të kaluarën, edhe në këtë mbledhje të radhës të KS të OKB-së, miqtë tanë ndërkombëtarë do t’i kundërvihen propagandës serbe kundrejt Kosovës.

Çollakut tha se Qeveria e Kosovë në mënyrë legale dhe kushtetuese ka ushtruar veprimtarinë e vet në veri të vendit.

“Në veri të vendit nuk ka terrorizim të popullatës civile serbe, por ka qasje dhe strategji pa pardon ndaj krimit, ndaj strukturave paralele serbe”, tha ai.

Tutje, Çollaku tha se skenaret e Serbisë tashmë janë të njohura dhe shtetet e fuqishme vendimmarrëse dinë se si t’i qasen kësaj çështjeje, derisa potencoi se do të duhej të zbatohej një qasje më kritike ndaj Serbisë.

Kurse për ‘Raportin e Progresit’, Çollaku u shpreh kritik ndaj qasjes së ndërkombëtarëve kundrejt Serbisë, derisa shtoi se përfaqësuesit tanë politikë duhet të tregohen të mençur dhe të përdorin argumentet të tilla që mundëson fitoren diplomatike e politike kundrejt Serbisë. “Që të arrihet kjo, duhet një koordinimi mirëfilltë me miqtë tanë ndërkombëtarë”, tha Çollaku.


Go to TOP