Çitaku: Të neveritshëm – po abuzoni me një vdekje tragjike për propagandë politike

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës duke e akuzuar për manipulim dhe keqpërdorim të një ngjarjeje tragjike për qëllime propagandistike.

Në një postim të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, Çitaku i quajti “të neveritshëm” ata që, sipas saj, kanë abuzuar me vdekjen tragjike të një të riu për të ndërtuar një narrativë politike.

“FSK nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht. Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë,” shkroi ajo duke mbrojtur angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si human dhe profesional.

Çitaku kritikoi ashpër manipulimin me imazhe zyrtare duke theksuar se njësoj siç po retushohen fotografitë, po tentohet të retushohet edhe historia. “Por nuk do t’ia dilni,” shtoi ajo.

Në përfundim, Çitaku e mbyll reagimin me një mesazh të prerë: “Marre ju qoftë” duke e lënë të kuptohet se përtej ndasive politike, ka kufij që nuk duhen kaluar, sidomos kur bëhet fjalë për tragjedi njerëzore. /Kosova.info/


Go to TOP