Çitaku përshëndet kalimin e propozimit francez, përkujton përvojën e hidhur të liberalizimit të vizave për Kosovë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka përshëndetur veprimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, i cili kaloi propozimin francez. Me anë të kësaj, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut parashihet t’i hapet rruga për negociata për anëtarësim në BE.

Çitaku, me anë të një postimi në ‘Twitter’, ka përkujtuar, siç e cilësoi ajo, përvojën e hidhur të Kosovës me çështjen e mos-liberalizimit të vizave, teksa ka shpresuar se unioni evropian do t’i mbajë premtimet.

“Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo i dha dritën e gjelbër propocizimit francez. Kjo do të zhbllokojë hapat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tani, të shpresojmë se BE-ja do ta mbajë premtimin”, ka shkruar Çitaku në cicërimën e saj.

“Ne në Kosovë kemi eksperiencë të hidhur me liberalizimin e vizave, por shpresoj që kjo do të krijojë një momentum të ri në Ballkanin Perëndimor”, përfundon postimi i saj.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë. 

Go to TOP