Çfarë qëndron pas mbështetjes ruse për luftën e Putinit në Ukrainë?

Një grua që po largohej nga granatimet e forcave në qytetin verilindor ukrainas, Harkiv, më 6 mars, u ndal për një moment dhe pyeti popullin rus një pyetje që shumë ukrainas dhe të huaj e kanë bërë: Pse rusët nuk protestojnë për të kundërshtuar atë që po bëhet në emër të tyre?

“Ju keni mundur ta bëni këtë më parë”, tha kjo grua për Radion Evropa e Lirë teksa foli mes lotësh dhe zemërimit dhe derisa djali i saj po shikonte, ajo reflektoi mbi “historinë tonë të përbashkët në vitet ’90. Në Bashkimin Sovjetik, të gjithë ngriheshin. Të gjithë. Ku jeni ju tani? Pse nuk ngriheni të protestoni? Pse i besoni [presidentit rus, Vladimir Putin]? Pse nuk i mbroni djemtë tuaj, fëmijët tuaj? Ngrihuni, ju lutem. Mbroni ata. Po ju përgjërohem”.

Edhe pse rënia e Bashkimit Sovjetik fillimisht ishte nxitur pas protestave masive që datojnë nga fundi i viteve ’80 në shtetet baltike, Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji dhe republikat e tjera jo-ruse, qindra-mijëra rusë po ashtu kishin protestuar atëbotë. Më 10 mars 1991, për shembull, 500,000 moskovitë u mblodhën jashtë Kremlinit, duke kërkuar dorëheqjen e liderit sovjetik Mikhail Gorbachev dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Por, tani kundërshtimi rus për luftën në Ukrainë ka qenë i kufizuar në disa tubime relativisht modeste, protesta me një person të vetëm, me nënshkrim të peticioneve dhe letrave të hapura dhe përmes postimeve në rrjetet sociale. OVD-Info, një organizatë joqeveritare që monitoron shtypjen politike, ka raportuar se mbi 14,200 persona janë arrestuar në mbarë Rusinë në aktivitetet kundër luftës.

Për më tepër, shumë prej atyre që e kundërshtojnë luftën veçse janë larguar nga Rusia ose në vitet e fundit ose qëkur Putini nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe kolapsimit të rublës, dhjetëra-mijëra rusë janë larguar nga shteti që prej fillimit të muajit.

Megjithatë, në të njëjtën kohë nuk ka pasur shfaqje masive të mbështetjes për luftën – as mbështetje të orkestruar nga shteti apo spontane – gjatë ditëve të para të nisjes së pushtimit. Më vonë, demonstrime të tilla filluan të shfaqen, shumica prej të cilave të lidhura me simbolin ‘Z’ që është vizatuar në shumë prej makinave të forcave pushtuese ruse.

Sipas disa raportimeve, në këto demonstrata, të tilla si “protesta për paqe” që u mbajt në Kazan të Tatarstanit më 10 mars, pjesëmarrja ishte e detyrueshme.

“E mbështes Putinin në çdo gjë”

Teksa lufta në Ukrainë është në javën e tretë, nuk ka një tablo të qartë të perceptimit të opinionit publik në Rusi, sepse dy dekadat e sundimit autoritar të Putinit e kanë bërë të pamundur që të ketë një matje të detajuar dhe të besueshme të perceptimit publik. Sondazhet dhe sociologët e pavarur janë margjinalizuar, ndërkaq një vetëcensurim mbretëron mbi popullsinë e këtij shteti që ka mënyra të shumta për të persekutuar disidentët.

Agjencitë që kryejnë sondazhe, që janë të kontrolluara nga shteti, kanë publikuar disa rezultate që supozohet se tregojnë një mbështetje të fuqishme për luftën. Një nga këto agjenci, që kontrollohet nga Qeveria ruse, VTsIOM, pretendoi më 5 mars se 71 për qind e rusëve mbështesin, atë që shteti rus e quan “operacion i posaçëm ushtarak” në Ukrainë. Më 3 mars, një tjetër agjenci e kontrolluar nga shteti, FOM, raportoi se në një sondazh të kryer më 25-27 shkurt,65 për qind e rusëve të anketuar e mbështesnin luftën.

Një sondazh i pavarur, i porositur nga CNN vetëm disa ditë para nisjes së pushtimit rus, gjeti se 50 për qind e rusëve thanë se do të ishte “e drejtë që Rusia të përdorte forcë ushtarake edhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO… dhe nëse ndihet e kërcënuar nga ndonjë aktivitet i huaj në ish-shtetet sovjetike”. Këto janë dy narrativët që Putini ka përdorur për të justifikuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Saktësia dhe dinamika e shifrave të tillë është vështirë të matet në Rusi, por të dhënat sugjerojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e mbështesin Qeverinë, dhe nuk është e vështirë të gjesh rusë që e thonë të njëjtën gjë.

“Jam për Putinin”, tha një grua më 3 mars, kur gazetarët e Current Time tentuan që t’i tregonin fotografi të shkatërrimit të Ukrainës. “E mbështes Putinin. As nuk dua t’i shoh fotografitë. Jam me Putinin. E mbështes Putinin në çdo gjë”.

“Turp dhe neveri”

Mendimet e ndryshme për luftën, në disa raste, kanë shkaktuar ndasi të mëdha mes miqve, por edhe në raportet familjare.

Yekaterina, një 28-vjeçare që është trajnere fituesi në Rostov-on-Don, që gjendet në afërsi të kufirit me Ukrainën, i tha Radios Evropa e Lirë se nëna e saj po e mbron me besnikëri të madhe Putinin, saqë ajo po ndien se nuk po e njeh më nënën e saj.

“Fillimisht argumenti i saj kryesor ishte: ‘Nuk mund të bëjmë asgjë dhe asgjë nuk varet nga ne’”, tha Yekaterina, e cila kërkoi që të mos i publikohej mbiemri, për shkak të kundërshtisë së saj për luftën. “Më vonë argumenti i saj ishte edhe më i keq: ‘Ata kërkuan ndihmën tonë’. Lufta nuk e tronditi nënën time, nuk ngjalli asnjë emocion tek ajo. Jam shokuar me reagimin e saj”.

“Tani e pyes veten, kush është kjo grua?”, shtoi ajo, duke theksuar se nëna e saj “ka qarë” çdo vit më 9 maj, për sakrificat e sovjetikëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo datë në Rusi shënohet si Dita e Fitores. “A e njoh nënën time? Si mund të jetoj me një person që bëhet kaq zemërftohtë për një luftë që është nisur nga Qeveria e saj?”.

Viktoria, një 24-vjeçare nga Rostov-on-Don, e cila po ashtu kërkoi që të mos i publikohej mbiemri, kishte një përjetim të ngjashëm sikurse Yekaterina.

“Një ditë pas fillimit të luftës ishte ditëlindja e 45-të e nënës sime dhe unë shkova në shtëpi, edhe pse nuk e dija nëse duhet të shkoja”, tregoi ajo. “Ne u pajtuam që të mos flisnin për politikë, por mund ta dëgjoja sesi ajo dhe babai po shikonin lajmet në televizor dhe po komentonin për gjithçka: ‘Ne po e mbrojmë të drejtën tonë’, ‘Ne nuk e kemi bërë këtë – ukrainasit e kanë fajin’. Më erdhi që të shkoja në dhomë dhe të bërtisja ‘Zgjohuni’. Por, e dija se kjo gjë nuk do të shërbente për asgjë”.

“Për herë të parë në jetën time, jam ndier vërtetë e turpëruar dhe e neveritur nga prindërit e mi”, tha ajo. “Që atëherë, shumë rrallë kam folur me ta”.

Narrativët e rremë që Kremlini ka shtyrë përpara gjatë gjithë fushatës ushtarake në Ukrainë – që Rusia është forca kryesore kundër fashizmit në botë, se NATO dhe shtetet perëndimore po komplotojnë që ta shkatërrojnë Rusinë, që gjuha dhe kultura ruse janë nën rrethim – janë kultivuar në shkolla, në muze, në filma, në televizionet e kontrolluara nga shteti dhe kudo tjetër që prej se Putini mori pushtetin në vitin 2000.

“Që prej fillimit të viteve ‘2000, Rusia ka përjetuar një rilindje të mobilizimit patriotik”, u tha në një raport të vitit 2018 të Grupit të Krizave. “Kjo ringjallje nuk është spontane: ajo mbështetet nga një përpjekje e përbashkët shtetërore për të rrënjosur vlerat patriotike, për të lavdëruar të shkuarën ushtarake të Rusisë, dhe për të promovuar ripërtëritjen e Moskës si një fuqi botërore. Ky mobilizim duket se ka ndihmuar në ndërtimin e mbështetjes së qytetarëve të thjeshtë për politikën e jashtme të Moskës, përfshirë edhe për një qëndrim më të ashpër ndaj Perëndimit dhe ndërhyrjeve në shtetet e ish-sferës sovjetike”, u tha në raport.

Kjo përpjekje e madhe përfshin tekste shkollore dhe programe akademike “patriotike”, ritualin e Regjimentit të Pavdekshëm dhe kultit për rolin e sovjetikëve në Luftën e Dytë Botërore, financimin e filmave “patriotikë” dhe programeve të muzeve, kultivimit të nostalgjisë për Bashkimin Sovjetik dhe rehabilitimin e figurës së diktatorit sovjetik, Josep Stalin. Po ashtu, janë krijuar një zinxhir “parqesh historike” ruse që kanë për qëllim të paraqesin këndvështrimin e Kremlinit për historinë 1000-vjeçare të shtetit.

‘Psikologjikisht e pamundur’

Shkrimtarja Svetlana Alexievich, laureate e Çmimit Nobel, në një intervistë për REL-in më 5 mars, tha se “të gjitha paratë që Rusia ka fituar ndër vite kanë shkuar në propagandë dhe ushtri”.

Rezultati, sipas saj, ka qenë ndezja e një agresiviteti në pjesën më të madhe të shoqërisë ruse.

“Së fundmi zhvillova një bisedë me një rus në Berlin”, tha ajo. “E shihni një person që ka një veturë të mirë, të veshur me rroba të mira, por kishte aq shumë urrejtje në të kur fliste për Ukrainën”.

Sociologu bjellorus, Pyotr Rudkouski, tha se narrativët e Qeverisë ruse për luftën në Ukrainë kanë qenë efektive sepse ato bazohen “në parakushte të nevojshme” që janë kultivuar për vite me radhë.

“Është e vështirë për Rusinë që të provojë rolin e agresores, të identifikohet me agresorët nazistë që po ashtu kanë bombarduar Kievin [gjatë Luftës së Dytë Botërore]”, tha ai. “Kjo është psikologjikisht e pamundur për shumicën e shoqërisë”.

Sociologu Iskander Yasaveyev, që jeton në Kazan, ka protestuar kundër luftës. Ai po ashtu tha se në shoqërinë ruse ka tensione agresive.

“Nuk jam psikolog, por mendoj se një lloj tensioni i brendshëm është ngritur në mesin e njerëzve. E kuptoj se ata po gënjehen, se po ushqehen me propagandë. Por, ata duan të mashtrohen”, tha ai. “Është më e thjesht për ta, më e lehtë për ta në mënyrë që ta shtypin konfliktin e brendshëm”.

Përderisa faktorë të tillë parandalojnë ndërprerjen e mbështetjes për një luftë të tillë, Yasaveyev tha se shoqëria ruse mund të “këndellet” shpejt nëse rriten humbjet ushtarake dhe pasojat ekonomike nga sanksionet.

“Një numër i konsiderueshëm do të nisin që ta krahasojnë situatën e tyre me atë që është raportuar në media”, tha ai. “Dhe në mënyrë të pashmangshme ata do ta kuptojnë se i kanë gënjyer dhe i kanë ushqyer me propagandë”.

Go to TOP